Secondary Adv

Rama: Nga janari nis zbatimi i Paqes Fiskale, do përfitojnë 99 për qind e bizneseve

Paqja Fiskale hyn në zbatim nga janari 2026, duke u ofruar bizneseve mundësi vetë-korrigjimi, lehtësim gjobash dhe rritje formalizimi.

Paqja Fiskale nis zbatimin nga janari

Në një takim me komunitetin e biznesit për paketën fiskale 2026, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Paqja Fiskale, një nga zotimet kryesore të fushatës elektorale, është tashmë ligj dhe do të nisë zbatimin nga janari i vitit të ardhshëm. Sipas tij, pavarësisht debateve publike, nisma adreson nevojën për të ndërtuar një marrëdhënie të re besimi mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes.

 

Rama theksoi se ligji nuk do të zbatohet për biznese me probleme serioze ligjore apo në konflikt me ligjin, ndërsa përfitues do të jenë rreth 99 për qind e bizneseve aktive në vend.

 

Vetë-korrigjim dhe tatim i reduktuar

Sipas Kryeministrit, Paqja Fiskale u jep bizneseve mundësinë të rishikojnë pasqyrat fiskale të viteve të kaluara pa penalitete, duke korrigjuar deklarimet dhe duke paguar një tatim të reduktuar prej 5 për qind për çdo pasqyrë të korrigjuar. Kjo, sipas tij, ndihmon në rritjen e formalizimit, ul barrën administrative dhe u lejon sipërmarrjeve të fokusohen te zhvillimi i aktivitetit, pa peshën e borxheve të së shkuarës.

 

Ligji shoqërohet edhe me një adresim të përgjithshëm të gjobave, që varion nga fshirja e plotë deri te pagesa me lehtësira, me synimin për të ulur presionin burokratik dhe inspektimet e panevojshme.

 

Financat: Nismë e kërkuar nga biznesi

Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se ligji i Paqes Fiskale dhe ai për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore janë kërkesa të drejtpërdrejta të komunitetit të biznesit, të artikuluara përmes Ministrisë së Sipërmarrjes. Sipas tij, këto masa nuk cenojnë stabilitetin fiskal dhe nuk dekurajojnë tatimpaguesit e rregullt.

 

Malaj nënvizoi se paketa fiskale nuk rrit barrën e taksave për biznesin dhe se rritja e të ardhurave buxhetore është arritur pa shtuar presion fiskal. Nga tetë ligjet që përbëjnë paketën fiskale, katër janë themelore: Paqja Fiskale, fshirja e detyrimeve, TVSH-ja në bujqësi dhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme.

 

Dialog dhe siguri juridike për sipërmarrjen

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerësoi se dialogu i vazhdueshëm mes qeverisë dhe biznesit është elementi kyç për zhvillimin ekonomik. Ajo theksoi se Paqja Fiskale synon t’u ofrojë bizneseve siguri juridike më të lartë përmes një kontrate që ndihmon planifikimin e të ardhurave dhe detyrimeve tatimore.

 

Sipas Ibrahimajt, politikat fiskale të ndjekura prej vitesh kanë qenë të qëndrueshme, pa rritje taksash, me qëllim krijimin e një mjedisi të parashikueshëm për biznesin. Përmes Paqes Fiskale, sipërmarrjet kanë mundësinë të rregullojnë marrëdhëniet me të kaluarën dhe të operojnë me tatime më të ulëta dhe më të favorshme në të ardhmen.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat